5 Prill, 2024 - 6:10 pm
Poezi nga Dritëro Agolli.
Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
… Kalonte dhe një muaj apo dy.
Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.
Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.
Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast./KultPlus.com