12 Qershor, 2024 - 1:42 pm
Dije Demiri-Frangu
Lirinë as buburreci s’ban me shkelë
Liria është e bukur
vetëm se çdoherë vjen e dërmuar e masakruar
dhe pa teshë në trup.
I ka do vragë, do plagë si kujtesa,
si faqet e historisë
e pastaj, ngadalë e bukur duhet dhënë krahët Lirisë,
sy të bukur e të prehët,
se i duhen
duhet dhënë djersët t’ i shërojë plagët,
rrobat më të bukura të njerëzisë t’ mos ngrinë e t’ mos djerësinë.
Duhet ruajtur t’ mos e shkel as buburreci,
është e ndjeshme
se Liria përjetësisht është foshnje,
një temperaturë e vogël mund t’ i shkaktojë meningetis.