22 Shtator, 2019 - 5:04 pm
Nga Klodian Kojashi
lirojini gratë,
duhet burgos
mungesa e tyne!
Ka nji mramje që vdes
për çdo gru
që s’e shef dot,
që s’del jashtë
me nde teshat
me pa yjet,
me puth nji dashnor
a burrë
a f’mi
a nji gru tjetër.
si ka mundësi
që nuk e dallojmë
sa hapa grash
mungojnë qyteteve tona?
lirojini gratë!
janë tendenca
e çdo qelize
kahu i çdo natyre
lirojini gratë!
le ta paguajë shteti
fajin e tyne,
ose të na shtojnë një taks
për çdo faj!
le ta shlyejmë
me një orë ma pak drita
një ditë ma pak parlament
një fjalim kryeministri ma pak!
për çdo grua që ka gabu
le ta bajnë ditën me 23 orë
si dënim, edhe pse
disa prej tyne kanë pagu aq
sa kanë shly gabimet
e t’gjitha tjerave përgjithmonë.