Luani dhe Miu

12 Shtator, 2023 - 5:30 pm

Poezi nga Andon Z. Çajupi

Në këtë botë sa rrojmë
njëri-tjetrin të ndihmojmë:
i math, i vogël, të tëre ç’jemi,
për njëri-tjetrin nevojë kemi
në këtë jetë.
Për këtë gjë të vërtetë
dy përralla do të themi.
Një mi kur doli nga dheu,
ndë thonj të luanit ra;
po luani kur e pa,
zemër të madhe rrëfeu,
se minë të gjall’ e la.
Po dhe miu kur shpëtoi,
të mirën nuk’ e harroi,
me të tepër ia pagoi.
Një luan, një egërsirë,
pa të mirë nga një mi,
si s’e pandente njeri:
Në një pyll në shkretëtirë,
i mjeri luan,
u zu me dhokan;
thërret, bërtet, qan me lot
se nga dhokani s’del dot,
q’e zuri në këmbë.
Po miu me dhëmbë,
ep e merr
sa e nxjerr;
hyn e del,
prish një tel,
të tërë dhokanë
dhe shpëton luanë.
Fuqia dhe zemërimi
s’mbarojnë ç’mbaron durimi. /KultPlus.com

Të ngjajshme