22 Prill, 2019 - 3:30 pm
Poezi nga Luan Rama.
A e keni provuar vallë shijen e tradhëtisë
ç’shije ka më thoni
vallë shije dheu squfuri karboni
lotësh apo gjaku?
Jo atë të gëzimit të çastit
harbimit të një seksi kalimtar
të një dehje efemere
por atë të tradhëtisë së shpirtit
ku jeta tënde nuk ka më kuptim
veluri është zbehur e shuar
e jeta i ngjan një mali të hirtë që rëndon sa bota
është hija që ecën në një fill të nderur
mbi humnerë zije
një ecje e rrezikshme midis jetës dhe vdekjes
ku ti mund të biesh nga çasti në çast.
Luiza, 17 vjeçare kishte zemër të bukur
sandalet i mbetën në baltë
kur trupi i zhytej në botën tjetër
përhumbur e dehur nga helmi
në ujrat e turbullta të liqenit të Tiranës
një requiem një adagio qumështi të mpiksur
një lamtumirë me buzën e hidhur të një jete
që nuk u gëzua
«Lacrimosa» e Mozart në një korr qiejsh
pa yje
Luiza kishte zemër të hidhur…
—–
22 prill, 2019. / KultPlus.com