19 Shtator, 2022 - 10:40 pm
Poezi nga Martin Camaj
Koha e lules
Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njeri
prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë mâ rrufeprojse
se dy shpata tû pèr tû
me teha përjashta.
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah jen terri.
Te zit e synit tand nuk due
ta ndeshi në shtiqet e ngushta.
Flakën e synit ta due mes fushës
e zemrën tande mollë,
të ndêmun në degë, në naltsin
e krahut prej tokës.
Mos bzâj para muzgut
të njerzishem në fushë
e erës zemërgjanë
që përqafon çdo maje bari.
Lule, hiqe pëlhurën e zbetë prej hanës
e shtroje per tokë.
Sy tú, lule-kadife, nuk njohin
pagjen. Mos bjer me vehte vérin e Nordit
por zjarm që ta rrisim bashkë
në kët natë të gjatë.
Lule, dashunija
rrin këtu derisa hana të jesë
përballë zjarmeve tonë
e drita e agimit të shkrijë
gacën e mbrame!
Ti je në zemër teme
e me zâ s’mund të thom
qetsinë e ndjenjes mos të prishi.
Zanin tand e njoh mes tingujve
të njimij currilave.
Vjollca që nis me çelë
i ka fletzat e njoma e të zbardhemta.
Ashtu dhe buza jote e mëngjestë.
Ti mbas vetullave ke hijen e hyllit
që zbulon vetëm nji faqe
dhe shpresa eme me trajtën e siluetës sate
në duer vuen ndër dhimba,
ndoshta për vdekje.
Ndjesitë e mia rrjedhin e humbin
në buzqeshjen tande t’idhtë.
Çohen njimij zâne
-shpatza badrash të pjekuna-
kur dëshirave u thue jo
përmbrenda. Mandej vjen shiu
e majet e badrave zbuten.
Mes flokëve te zèz e vetullave
e ndali shikimin
per të gjetun fillin e të vetmes poezi
të kësaj moshe seme djegagure.
Ashkël jam, Lule,
e shetis prej vendi në vend
i shtymë nga murrlâne, shum.
Kur ndalem këqyri në vehte
e shoh fëtyrën tande e para meje
shtiqe me oleandra anash.
Tre hapa mbas
shtrîhet nji tokè e djegun
me gùr e shkambij në pa skâj.
Eja përsri në mëngjes.
Po erdhe ti, në vend të kallijve t’djegun
kah rrâjt dalin filiza të rij.
Në kohën e kangës së qokthit
drita e synit t’nji hylli
ra meteor në mue
e ndriti fetyrën tande:
ishte mallkimi i atij që lindi natën!
Kalorës i shtigjeve t’ngushta,
kurr mâ s’do ta përkas
agimin e flokve tú.
Udhtoj me hijet e natës së vonë
e shoh gishtat tú që mbyllin
fletën e bardhë t’nji jete. / KultPlus.com