Lulet

8 Janar, 2024 - 8:31 pm

Poezi nga Ndue Ukaj

Lulet janë e kundërta e egërsisë.
Të zbutin,
me rrëfimin madhështor,
ta davaritin vetminë,
trishtimin.
Ato kanë gjuhë, tinguj e duar të gjata,
me të cilat përqafojnë hidhërimin,
mposhtin dëshpërimin.
Parfumi i tyre të deh
dhe të bën ëndërrimtar.
Ato i ndukim vetëm për raste të veçanta:
një buqetë për nusen kur vë kurorë
ose për një banket madhështor.
Ato kurrë s’i ndukim prej kopshtit
për gjëra të kota.
Lulet janë tunduese dhe predikojnë gjëra të bukura.
Ato s’e njohin gjuhën e llahtarisë,
as të dashurive të mallkuara.
Kur je në kopshtin e tyre,
përpara rrafshohen kodrat e pamundësisë.
Lulet s’kanë frikë nga terri,
stuhitë,
vetmia,
duart e pabesa.
Ato edhe kur i godet stuhia,
ose duart e pabesa,
s’ndërrojnë trajtë,
lule mbesin./KultPlus.com

Të ngjajshme