Lum Lumi

2 Nëntor, 2017 - 11:05 am

Poezi nga Ali Podrimja

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi./KultPlus.com

Të ngjajshme