1 Mars, 2019 - 12:29 pm
nga Robert Shvarc (Sarajevë, 1932 – Tiranë, 2003)
Ma vranë Sarajevën,
qytetin ku më ka rënë koka,
qytetin përjetësisht të dashuruar,
ku puthej lindja me perëndimin
dhe kishat rrinin pranë xhamive
dhe pranë sinagogave
të zëna për dore,
ku gjindja ishte përherë gazmore
dhe i donte këngët
dhe i donte lulet…
Ma vranë Sarajevën –
dhe Milaçka e kristaltë
gjarpëron tani e kuqe
përmes qytetit të martirizuar…
Ah, ç’ngjyrë tjetër veç asaj të gjakut
mund të lerë pas thundra e një viçi –
iliçi, visarionoviçi,
milosheviçi?
Ma vranë Sarajevën! –
pesëdhjetë vjet kam pritur
ta shihja edhe një herë
qytetin ku kam lindur,
qytetin vetëm pesëqind kilometra larg
që këtej! –
pesëdhjetë vjet kam pritur…
Tani s’dua ta shoh më:
s’kam zemër që të shoh gjithë atë gjak,
gjithë ato kufoma,
mu në zemër të Evropës,
mu në fund të këtij shekulli!
Do ta ruaj në kujtesë
ashtu të hirshme siç e lashë
në fëmijëri,
ashtu të butë dhe njerëzore,
ashtu gjithë tinguj e poezi…
Ma vranë Sarajevën!
Sarajevën më s’e pashë!