13 Nëntor, 2017 - 9:39 am
Poezi e shkruar nga Bodleri.
Hajde, macja ime e hijshme,
Ulu mbi zemrën time të dashuruar
Vuri putrat e buta mbi gjoksin tim
E lërmë të zhytem në sytë e tu të bukur
Plot ngjyra metal e gurë zefiri…
E teksa duart e mia dehen në përkëdheli
Mbi kokën dhe shpinën tende elastike
E dora ime dridhet nga volupteti
Mbi pelushin tënd të butë e elektrik
Tek ty ndjej trupin e së dashurës sime
Shikimin e saj si yti o kafshë e bekuar,
I thellë e i ftohtë çpues e i mprehtë si kamë
Ndjej përreth meje nga këmbët gjer tek koka
Të lehte e kërcënues një parfumi trullosës
Që si opium pështjell trupin e saj brun.
Shqipëroi Vasil Qesari
( Në kohën kur jetonte Bodleri, mbajtja e maceve ishte bërë diçka e modës. Edhe në rrethin shoqëror të poetit, shumë artistë si Delakrua, Mane, Gotje, Banvil, Shamfleri e të tjerë, ndër të tjera, adhuronin në mënyrë të veçantë edhe macet. Autori i ‘Lulet e së Keqes’ ushqente ndaj tyre një pasion të vërtetë. Ai gjente tek ‘felinët’ ( siç quhen ndryshe, macet e racave të ndryshme ) vlerat poetike të femrës si edhe cilësitë misterioze të poetit. Sharl Bodler u ka kushtuar maceve tri poezi ).