Malli

21 Maj, 2023 - 2:31 pm

Poezi nga Dritëro Agolli

Hëna brirët lan në lumë, uji yllin e spërkat,
Unë sillem nëpër shelgje sonte natën fillikat.

Bulku fshehur pas një drize lumit iso po i mban,
Natë e viseve të mia mbushur plot me jargavan.

Si një rrahje flete molle një të puthur afër ndiej,
Sonte njerëz dashurohen tek ky mal nën këta qiej.

Edhe unë u dashurova dhe me jetën pata fat,
Ndofta edhe puthjen time e dëgjoi një fillikat.

Ndofta ndezi një cigare pranë shelgut tek ky vend,
Ndofta buzët i lëvizi dhe diç solli nëpër mend.

Ndofta, ndofta! …Lumi derdhet , flladi thinjat m’i shpërndan,

Natë e viseve të mia rreh në xham me jargavan/KultPlus.com

Dritero Agolli portrete, Tirane Albania

Të ngjajshme