Marie Luise Kaschnitz: Intervista

18 Janar, 2025 - 12:50 pm

Marie Luise Kaschnitz (1901 – 1974), ka qenë prozatore, poete dhe eseiste gjermane. Autore e dhjetëra përmbledhjeve me tregime dhe poezi, ajo është shpërblyer me disa prej çmimeve më të njohura, si çmimi Georg Büchner (1955), çmimi Johann Peter Hebel (1970) dhe çmimi Roswitha (1973). Ndërsa më 1984 është themeluar çmimi letrar në emrin e saj, “Marie-Luise-Kaschnitz-Preis”.

INTERVISTA

Nga Marie Luise Kaschnitz

Kur të vijë vizitori,

Duke të të lutur, duke të të pyetur,

Rrëfeji se nuk koleksionon pulla,

Nuk bën fotografi me ngjyra,

Nuk rrit kaktuse.

Se nuk zotëron ndonjë shtëpi,

As televizor,

As pemë fiku të dhomës

Se ti nuk e di

Pse ulesh të shkruash,

Pa dashje, meqë s’të jep kurrfarë kënaqësie.

Se ende s’e ke gjetur kuptimin

E jetës tënde, megjithëse po plakesh.

Se ke dashur, por jo mjaftueshëm,

Se ua ke kthyer, por me druatje.

Se ke jetuar në shumë vende,

Por asnjërin nuk mund ta quash shtëpia jote.

Se dëshiron të vdesësh dhe je e frikësuar.

Se nuk mund të japësh asnjë shembull përveç këtij:

Ende e hapur.

Shënim:

Ndoshta gjëja e parë që do të mund të thuhej, pasi të lexohet poezia në tërësinë e saj, do të mund të ishte se na i imponon menjëherë, me përkorësinë e vetë tipike, dy pyetje që janë njëkohësisht edhe në kundërshtim edhe në përputhje me njëra-tjetrën. E para: a është kjo gjendje e përshkruar gjendja e këshilluar dhe aspiruar? E dyta: mos, përkundrazi, kjo është thjesht gjendja në të cilën zakonisht përfundojmë – e cila, megjithatë, s’duhet aspak të nxitë pakënaqësi?

Në të vërtetë, mbase me bukur siguri mund të themi se i referuari i kësaj poezie del të jetë një person i përkorë, idealisht i përkorë, në pothuajse fundin e rrugëtimit të tij ekzistencial. Ai që ka bërë, pësuar, parë, dëgjuar, mbi të gjitha: ka shkruar; e megjithatë prapëseprapë nuk ndihet në gjendjen që të japë një përkufizim, një shpjegim mbi të qenët e tij në këtë botë. Ka qenë i hapur dhe tolerant, duke shmangur të panevojshmen për të. Duke mbërritur te fundi, do të donte t’i jepte fund, megjithëse është i frikësuar. I frikësuar çfarë e pret pas? Sigurisht, është fare njerëzore. Sidoqoftë, është ende i hapur. Por, i hapur për çka? Për të vazhduar ashtu siç ka vazhduar deri më sot, apo megjithatë për t’i dhënë fund, pavarësisht asaj frike?

/Marrë nga Marie Luise Kaschnitz, “Selected Poems”, (me përkthim të Lisel Mueller), Priceton University Press, 2014/Gazeta Express‘/ KultPlus.com

Të ngjajshme