19 Prill, 2023 - 12:30 pm
Poezi nga Fan Noli
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Stroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!
0 stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!
0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!/KultPlus.com