7 Nëntor, 2020 - 10:58 pm
Wisława Szymborska
Fundi dhe fillimi
Përktheu Vlora Konushevci
Mbas çdo lufte
dikush duhet me i hjek plehnat.
Në fund të fundit
gjanat s’mundet vet me ra në vend.
Dikush duhet me i shty rrënojat
anash me lirue rrugën,
që me mujt me kalue
vagonat e mbushun me kufoma.
Dikush duhet me u zhyt
në llum e në hi
n’fundërrinën e shtratit,
në gotat e coptume
në copat e përgjakuna.
Dikush duhet me e bajt naj tra
me forcu naj mur.
Dikush duhet me lustru naj xham,
me rivendos naj derë.
Fotogjenike s’asht hiq,
kërkohen shumë vjet.
Tana kamerat kanë ikë
mbas nji lufte tjetër.
Kanë me na u dashtë urat prapë,
edhe stacionet e reja hekurudhore.
Mangët kanë me na u kputë
tu i përvjelë.
Dikush, me fshisë në dorë,
e kujton të kalumen.
Dikush tjetër e ndigjon
dhe pohon me krye hala n’vend.
Por ka të tjerë në afërsi
që nisin me blue qysh
dikujt i duket e mërzitshme
krejt kjo.
Prej kaçubeve
hala del najkush e nxjerr prej dheut
argumente të ndryshkuna
e i çon ato tek grumbulli i plehnave.
Ata që e kanë ditë
çka ka ndodh aty
duhet me hap rrugën
për ata që kanë ditë ma pak.
Edhe ma pak se pak.
Edhe përfundimisht ma pak se hiq.
Në barin që asht rritë
mbi shkaqet dhe efektet
dikush duhet me u shtri
me nji fije bari n’gojë
me i venerue retë./ KultPlus.com