Mbas dashnisë

21 Mars, 2025 - 11:21 am

Tinëz

M’ke dashtë si shkamb, jo si grue,
me trup t’lagun,
si me qenë strehë prej shiut,
jo prush që lyp me u ndezë.

Nuk isha ndjenjë, isha rast
me u shkput si gjethe 
jo pse deshe me ra te unë,
por se isha aty.

Më mësove me rrnu pa frymë,
me t’pa, pa t’pa
netët rrinin gjatë,
mëngjeset vinin kot.

I lash sytë me u mësu
me errësinën.
Gjumi, edhe kur vinte,
vinte i thatë si lëkurë që s’preket.

Kur ike,
nuk u shemba.
As s’bërtita si gratë nëpër filma.
As s’kërkova shpjegim.
E kuptova se kështu bien sendet pa kurriz
Tinëz, tinëz.

Tash unë s’rri ma
as si strehë,
as si shkamb
veç si truell i thatë
ku s’mundet me mbi ma kurrgja.

Mbas teje

Mbas teje
hapat u banë të ngadaltë
nuk isha tue ikë ma
as kujtimet s’më ndjeken mbrapa.

Mbas teje
Kam hangër çokollatë për drekë,
i kam ly flokët e kuqe,
e kam ndezë dritën me lexue
jo me pritë.

Tash i la pjatat pa la,
dal prej shtëpisë pa e mbyllë derën mirë.
Nuk rregulloj ma gjana që s’kanë randësi.

Trupi jem
s’e mban kujtimin tand si përmendore.
Ndalem para pasqyrës.
Mundohem me thirrë emnin tand me za.
Nuk më del,
as si mall,
as si faj.

Mbas dashnisë

S’ta thirra emnin.
As nuk të bana vend n’krye t’tryezës.
Gjethja që ra mbramë
ishte veç gjethe.

Dashnia jonë ka pasë kambë,
por ka ecë veç në nji drejtim.
Me pas pasë duer
kish mujt me u mbajtë.

Mbas dashnisë,
mbetet ndonji muri
aty këtu në kambë,
dritare t’ krisuna
dyer t’ shembuna
s’mundesh as me ecë zdathë
edhe dyshemeja asht e djegun

Mbas dashnisë
mbetet gjithherë nji ndoshta.
Ndoshta s’më ke dashtë.
Ndoshta as unë ty.
Ndoshta veç kemi ndejtë aty
kot,
si enë që përdoren
për raste të veçanta.

Mbas dashnisë
gjithherë bahet dimën.
Toka shterron
e gjuha nis me i hangër shkronjat./KultPlus.com

Të ngjajshme