7 Gusht, 2018 - 8:30 pm
Visar Zhiti
Sonte ua hodha policëve,
Kur po më jepnin darkën, atë supën e ligë.
Sepse pashë hënën. Është e rrezikshme
që të bëhem edhe një herë
……………siç isha, lirik.
Një ngushëllim i verdhë, hënor, i ftohtë
mbushi dyshemenë te këmbët e mia
…………..dhe po e lëkund.
Unë s’jam i pari që dënohet në këtë botë,
por më vjen keq që s’jam i fundit unë.
Hëna – grua e bukur, mahnitëse
seç i bën ca makjazhe një çuni
………….pas kuintave të një skene.
Errësirë përralle dhe drita, drita magjike
si një kozmos i vogël,
…………fluturues,
…………prej shprese.
Unë isha ai aktori i vogël
…………që luante aq mirë
e megjithatë s’e lanë të bëhej aktor.
Që ahere e kuptova: jeta është tepër e vështirë
Dhe tepër e lehtë
…………një tallje, një lojë.
Ja, mua m’i hodhën prangat, moj Hënë.
S’e kupton? Është njëlloj sikur ty të të shkulin
…………nga prania e Diellit
dhe të të flakin nëpër gropat astronomike
Ma bënë këtë gjëmë
ngaqë shpirti im nëpër parajsa çmendurish
…………donte të ikte.
– Ej, t’u derdh supa! – më briti polici te koka
duke më kërcënuar me garuzhden avdalle.
Mua më erdhi mirë
Që supa s’më ish bërë më e shtrenjtë akoma
Se ëndërrimet me një hënë ankthesh.