30 Maj, 2018 - 6:21 pm
Shpëtim Selmani
Kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh,
do ta kesh me vete edhe atë,
të ngujuar thellë në zemër, turpin madhështor,
turpin e pashlyeshëm, turpin e parrëzueshëm,
turpin e të qenit njeri.
Sa të duash, pi nga uji i kulluar i dashurive
për atdhetë, për gratë, për burrat,
për kombet, fetë e shpirtërat,
përsëri do të biesh në çastet kur bashkë
me ty do të bie nata dhe një tjetër
njeri brenda teje, do ta ujisë me gjak,
kopshtin e madh të turpit.
Sa të duash, përbuzi kafshët jopaqësore
dhe sa të duash, qëllo mbi to, po pate mundësi,
qiju me të gjitha llojet e luleve dhe sa të duash,
lëshoja zërin asaj kënge mbi zemra të lumtura,
konstruktet e liruara nga kafazi i një mendjeje të
dobët, do të përdhosin çfarëdo lirie që
ti, e ke krijuar shtyrë nga nevoja morale, për
ta mbuluar atë turp që të rrjedh nga goja.
Sa të duash, shkruaj poema mbi çlirimin e
popujve, futja vetes flakën në bulevardin
e Zotërave të Luftës, po munde,
çoje deri tek retë gishtin e mesëm dhe me të
turbulloje heshtjen jokorrekte të engjëjve,
mundohu sa të duash, duart
do t’i kesh të mbushura me turp.
Kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh,
do ta kesh me vete dhe atë,
si një thikë e lashtë në ballë,
turpin e mjerë, turpin mizor,
turpin e asaj se çfarë je.
Beograd, 15. 07. 2014.
Poezi në kohën e gjakut dhe zhgënjimit
(2010 – 2017)
sh.s.