25 Nëntor, 2019 - 4:58 pm
Sa e sa gruaja ka qenë viktimë e dhunës, herë në familje e herë edhe jashtë saj. Ndërsa në Kosovë numërohen mbi 20.000 viktima të dhunës seksuale, gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Mirëpo, fatmirësisht është rritur vetëdija kolektive në raport me rastet e dhunimeve, sidomos vitet e fundit ku disa prej viktimave kanë dalur edhe publikisht për të treguar e për të vënë në pah atë se cfarë ka ndodhur në luftën e fundit të Kosovës.
Organizata të ndryshme e individë të ndryshëm kanë qenë në përkrahje të vazhdueshme të viktimave të dhunës.
Mirëpo, dhuna seksuale, fizike e ajo psiqike, fatkeqësisht nuk ka shkuar bashkë me luftën. Shumë gra kanë qenë viktima të familjes së tyre, të bashkëshortëve të tyre dhe jo vetëm. Disa prej tyre kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Në vijim, KultPlus ju sjell poezinë e njohur të autores Paulette Kelly, poezi kjo që shpalos mjaft mirë se cfarë përjeton një viktimë e dhunës, qoftë kjo dhunë psiqike, seksuale apo fizike.
Mora lule sot
Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special.
Patëm zënkën e pare mbrëmë.
Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan.
E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha.
Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot.
Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi.
Dukej si makth.
Nuk mund ta besoja se ishte reale.
U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira.
E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot.
Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më rrahu sërish.
Dhe ishte më keq se herën e kaluar.
Po e lashë atë, çfarë do të bëj?
Si do të kujdesem për fëmijët e mi?
Po për para’ si do ja bëj?
Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.
Mora lule sot.
Sot ishte një rast special.
Ishte dita e funeralit tim.
Mbrëmë, më në fund ai më vrau.
Më rrahu për vdekje.
Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë,
Nuk do të kisha marrë lule… sot. / KultPlus.com