3 Shtator, 2022 - 11:00 am
Poezi nga Fitim Majkovci
mbrëmë ra shi
trupin ta përshkuan, pikat e tij
nga këmba në gjoks
deri tek koka të arrinë
të paktën dy pika ta shijuan njerëzinë.
mbrëmë ra shi
e me shiun ike dhe ti
në furinë e stuhishme, amshimi t’u bë shtëpi.
dy pika nga lart bien
të tretën e hedh ti
as lot, as vaj, vetëm buzë që ngrijnë
pse ike nuk pyes
pse s’qëndrove mbaj mëri.
marri, ç’ndjenjë e hipokrizi
në mesin e turmës
më e mira ti,
një rrebesh që s’kryhet
e tmerrshme kjo stuhi,
në shiun që ra dje
amshimin e bëre shtëpi.
sot doli dielli,
një ditë e re nisi
pak përmbi re, fytyrë jotja qeshi
bota s’të pranoi,
paqen tënde s’e deshi!
në zjarrminë e saj, gjithçka mbetet njësoj
secili soj në trajtë të njëjtë jeton
e fryma që ndryshe u morr
me shiun dje shkoi.
mbrëmë ra shi
mbi trupin tënd, dy pikat e tij
mbi pika shiu, lot i ç’njerëzisë
ata që të shanë, të shkruajnë poezi
marri, ç’ndjenjë e hipokrizi
në mesin e turmës
më e mira ti,
një rrebesh që s’kryhet
e tmerrshme kjo stuhi,
në shiun që ra dje
amshimin e bëre shtëpi.
e sot? rilinde mbinjeri. / KultPlus.com