30 Tetor, 2023 - 9:00 am
Arjola Zadrima
Më bjen ngusht
Shqipnia
si ndonji kostum i qepun herët në kohë
masë standarde
të gjithë njëlloj.
Por shpirti jem ka kohë që nuk përputhet,
imagjinata i kalon koret e kresë,
mendimi ka kohë që e ka ndryshue hartën.
Bota jeme asht kontinent tjetër,
e qënia ime një grue
pa zingjirë.
Kthehem,
në krye më sillen do qënie njëjetike,
me mendime të kalbuna,
do kufij imagjinarë,
do thëngjij idhnakë
që me gjithë njohuritë e botës
nuk bahen art…
Shpirtit tem prej andrrash danteske
i bjen ngusht Shqipnia,
nuk mund të jetoj në rrathët e ferrit,
as në mendjet e kalbuna,
asesi në zemra pa peshë.
Jam muza e Zotit
në çdo dimension i përkas qiellit. / KultPlus.com