15 Korrik, 2020 - 9:00 pm
Sociologia dhe poetja, Sibel Halimi, së shpejti publikon librin e ri të saj të titulluar “Me ekzistu është vet kuptimi”, shkruan KultPlus.
Vet autorja e librit e ka bërë të ditur këtë lajm teksa ka treguar edhe për përmbajtjen e tij si dhe ka falënderuar ata që kanë mbështetur këtë libër.
Këtu keni statusin e saj të plotë:
“Së shpejti …
Në kohën kur gjithçka rreth nesh ka marrë një kuptim tjetër, njeriu si kurrë më parë ka nevojë për një rikthim kah vetja. Një introspeksion i tillë, e bënë njeriun të vetëdijshëm e vigjilent nga përpjekja e jashtme drejt orientimit të rrugëve ‘kundër’ vullnetit të tij.
“Me ekzistu është vet kuptimi”, libri im i radhës me poezi, është një përsiatje poetike mbi shumë fenomene të cilat e kanë përcjellë shoqërinë tonë. Orvatje për të vazhduar rrugën drejt një njohje të re të shumë figurave, që ne i kemi lartësuar e mos njohur për motive të caktuara shoqërore dhe politike e që rrjedhimisht e kemi shndërruar në dikë tjetër, epilogu i së cilës është tjetërsimi i tij/saj.
Andaj, “Me ekzistu është vet kuptimi” rikthen njeriun në njohjen e vetes, e si rezultat sjell edhe paqen për ekzistencën e tij, e duke e njoh veten, ne jemi njerëzor edhe ndaj tjetrit.
Për jetësimin e librit, falënderoj shumë redaktorin e librit profesorin Anton Berishajn, botuesin Jeton Nezirajn (Qendra Multimedia), dizajnuesin e ballinës Agon Çetën si dhe për faqosjen e librit, Samir Halitin (project.graphics), që më ndihmuan dhe ekzistencës së librit me i dhanë kuptim”. / KultPlus.com