9 Prill, 2019 - 8:40 pm
Poezi nga Erina Çoku
Shqipnue shpirtnat tanë mkojnë tokat e pranverës
me rranjët e tyne t’ gjata kah m’kah ktij dheu,
dhembja na i njeh ngastrat, bashkue e ndamë
e andja e jetës shpesh na duket veçse nji andërr e largët.
Un vij prej nji ane tu t’kërkue ksaj ane.
Pash gjakun e tokës e t’qiellit, si njisoj e kena,
ti ku je?
Asht pranver’, gjithçka ndihet me kraharor,
fjalët e pemve për rranjët e tyne kuptohen mâ mirë,
asht pranver, çka çeli ka m’u bâ frut,
nuk do ‘desim uni, tashmâ.
Pash kangt e pemve e t’barit, si gjallë ta mbajnë frymën,
ti a je?
Pranveren jam tu mbledhë si nji fill t’gjatë
prej pragut tim n’Pejë e prej Peje n’pragun tim,
kadalë tu mendue, për mue e ty,
për nâ si nji u bamë, por nji nuk mbetëm,
kadalë tu ndie dashnin n’ rrema përqafue
me shpirtin e gjanë e t’lartë përky uji,
kadalë tu e bâ nji shtrojë të re për njeriun
me u njoftë e me u plotnue brenda kresë.
Pash, shpirtin si afrue e largue na nget,
ti a je, sikundër jam?
Udha asht nji kurm me brinjë e degë,
t’gjitha janë tu m’dhembë nan lekurë
e t’gjitha jam tu i ndi’ si rrema t’kuq trupit tim.
Pash kryet e maleve n’kryet tand, perngja me mue,
ti si je?
N’Prizren kam me qenë dikur,
kur t’shkoj, saora ke m’u shkru n’fytin tim
nuk di pse, e nuk di qysh.
Nesër, sot e dje m’janë bâ lamsh.
Pash udhën, si drejt duhet me e marrë,
ti pse je?
N’Gjakovë kam lanë do kodra t’blerueme,
zaje t’bardha m’bien prej zemre
e uji i syve m’i merr e m’i çon larg,
peng i kputun, i përjetshëm.
Pash ujin, si durve t’mija me buzën tande e ke pi,
ti qysh je?
Lumi shket n’Pejë tu u lmue gurve t’shpirtit
e zajet e mija t’bardha ngucen bregut
tu harrue plagët thellë në ujë.
Pash çatinë mbi dritore, si zemren ta ndrit,
ti çka je?
Pemët mbledhin shiun n’Pejë,
era e dheut asht historia e rranjës tande,
po mendimet bahen turrë mbi ura të vogla
tue zanë brigje e shtigje, për mue dhe ty.
Pash zgjimin e ujit n’zemër, si gjallnimin ta jep,
ti kah je?
Malet kanë bâ prag e janë afrue
me lindë n’zemër edhe njëherë,
e krye m’krye e kacarrojnë lumin
si shket i lmueshëm diçka tu’ përkundë
sa ura e lidh prapë shpirtin e zgjidhun,
pa lanë dert për penj të trishtë.
Pash andrrat, si shenjë t’lanë n’ballë,
ti je a s’je?
Pranvera asht e kadaltë në Pejë,
nuk ngutet me ardhë, nuk ngutet me ikë,
trandafila t’verdhë shpirtnohen n’hundë
tu’ e ba dhembten ma t’durueshme
e krahanorin t’shelbuem me eter.
Pash dritën si t’puthet amel sysh,
ti ji.
Pranveren e heq zhag kahdo shkoj,
pranvera m’heq zhag kahdo vij,
streha m’sheh nan vetull butë,
pragu m’sheh drejt buzës urtë,
Pash jetën, si asht thelbi ynë i pastër
pash jetën, si e ruejmë n’trupat tanë t’përkohshëm,
pash jetën, si ka me kenë edhe kur na t’mos jemi,
kurrë mos thuaj se s’je,
tash si unë jam.