19 Mars, 2025 - 7:23 pm
Poezi nga Odhise Grillo
Sa herë shkoj në fshat,
Të parët qiparisat
më presin që nga larg,
duke i tundur krifat…
Më presin me folera
edhe me këngë zogjsh,
për të më përshëndetur,
përkulen gjer përposht.
Këtu, në mes të tyre
u rrita me shelege…
Më falen qiparisat
kur theva ndonjë dege.
Më falen fshatarët
kur vrava ndonjë zog,
sepse më kishin mik,
sepse më kishin shok.
Më presin mijëra çerdhe
të fshehura diku…
Po çerdhja me kujtime
ku është vallë, ku?
Këtu mes qiparisash
ajo çdo vit më pret…
Si çerdhja me kujtime
asnjë fole nuk ngjet!/ KultPlus.com