‘Më shkoi mendja të ja fus një grusht turinjëve, por në vend të kësaj i thashë a dëshiron një akullore’

26 Prill, 2022 - 11:00 pm

Shpëtim Selmani

Po haja

Akullore dhe shihja
Libra të vjetër në njërën
Nga rrugët e Tiranës

Që ishin të mbështjellura
E të ruajtura si sytë e
Ballit

Marr Majakovskin në duar
Dhe e pyes shitësin
Sa kushton

Thotë pesëqind lekë
Dhe duke e ditur se
Ma ngulin i them shtrenjtë

Po pra se ti e ke mendjen
Te Stoma
A e di çfarë do të thotë

Stoma nga greqishtja
Do të thotë gojë
Aty e ke mendjen

E ndërron Majakovskin
Për një akullore
Mos më fajëso mua

Fajëso kapitalizmin
Dhe këtë dreq
Nxjerre celularin dhe e godet

Ju dëshironi të ja shihni
Bythën Shakirës
Nuk e keni mendjen te Majakovski

Më tha çdo gjë pasi kisha
Mbetur i ngrirë duke e
Shikuar

Çuditërisht më shkoi mendja
Të ja fus një grusht
Turinjëve

Por në vend të kësaj i
Thashë a dëshiron
Një akullore

Nuk hahet akullorja në
Mbrëmje më tha dhe
Përsëri Stoma Stomaaaa. / KultPlus.com

Të ngjajshme