4 Janar, 2020 - 5:00 pm
Poezi nga Rexhep Beqiri
I paformësuar, ngjyrë gri ishte guri i fundit,
i gjuajtur nga tokat e shenjta,
nga duar të çara prej përuljeve në dhe,
që s’pati fatin të godasë asgjë përpos dheut.
Vejushë që humbi shikimin në lindjen e parë,
Askush nuk e kontestoi diagnozën latine të shkruar nga mjeku i ri për abortin.
As shpenzimet e dështimit s’kishte kush t’i mbuloj.
Protagonisti s’pati fatin të lindë.
Fati do të të punojë në herën tjetër,
e fatit mos i punofsh kurrë.
Ajo vazhdon duarkryq nënqiellin e parashiut,
para shkallëve të shtëpisë të mbështet
fatin në Zot.
Lutjet që pëshpëriteshin me ton mëshire,
mbetën të aprovohen në të ardhmen.
Antagonisti iku të thith tjera gjokse femrash.
Iku duke u zgërdhyer fushave deri te rruga më e afërt.
Rrugë që të shpien më shpejtë në rrugicat e pasqyreve,
ku shpirtrat mbanin kremtën e netëve të ngjizjes
në kërkim të protagonistit të ri.
Kjo u konfirmua nga sytë e atyre që s’kishin fatin të humbin shikimin në abort,
ngaqë kishin fatin të paguajnë ilaçe më të mirë.
Derisa mbledhja rërë të ndërtoi,
kështjellën prej rëre sërish.
Gjeta të pafomësuarin,
gurin gri.
S’ishte vetëm,
kishte grumbuj gurësh të njëjtë në qëllim
të ndryshëm në formë.
Mora njërin,
desha t’i thyej pasqyrat e para që më shohin,
t’i argëtoj pleqtë dhe fëmijët,
guri u thye, pasqyret jo.
Njerëzit u bënë bashkë.
Grumbuj dheu.
Copëza guri ranë mbi ta.
pasqyret mbetën siç ishin.
Fati do më punojë herën tjeter,
e unë fatit mos i punofsha kurrë.