28 Nëntor, 2018 - 3:56 pm
Poezi nga Andon Z. Çajupi.
Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënur koka,
ku kam dashur mëme e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasur shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshet ku kanë qenë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdes.