24 Gusht, 2023 - 2:30 pm
Blinera Hajdari
Mes nesh s’ka hapësirë.
Hapësira për ne nuk ekziston. Ndryshe përcaktohet distanca jonë.
Mes nesh ka dete të thella ku gjen pasqyra të thyera copë-copë, por prapë ato pasqyra vazhdojnë të na reflektojnë.
Pasqyrojnë imazhet tona qysh nga dita që kemi lindur.
Nëse do të thuash që s’jemi njohur në atë botë, unë këtë e di.
Ndoshta ditëlindja ime nuk është dita kur kam lindur, por kur jam njohur me ty!
Mes nesh s’ka hapësirë, por ka dete të qeta e të kthjellët, sikur janë në mes të korrikut.
Dete që të japin qetësinë e prekjes sate dhe kthjelltësinë e syve tu, nga të cilët nuk largohem dot.
Ka edhe valë, të ulta e të larta. Që trazojnë njeriun e të humbin ekuilibrin, njëjtë siç trazon shpirtin mendimi për ty.
Hapësirë jo se jo! Po mes nesh ka re me plot forma dhe fortuna, aq të forta sa shpesh duhet të fshihemi. Kësaj radhe nuk bartin peshën e shiut apo të erës, për të cilat toka ka nevojë. Por bartin peshën e lotëve të mi dhe vorbullën e ndjenjave tua, që bukur i mban të fshehura. Për të cilat të dytë kemi nevojë, e pranojmë apo jo.
Mes nesh, nuk jemi kurrë vetëm unë dhe ti.
Jemi unë dhe ti, me plot kujtime, ëndërra e zhgënjime, të vendosura aty në mes.
Unë dhe ti, me thërrmija zjarri e copa akulli.
E pavarësisht nëse jam një hap larg teje, apo aq larg sa s’të shoh fare në horizont, në çdo grimcë ajri që na ndan do të ketë copëza dashurie, ndjenja frike, dhe emocione që shpirti as nuk tenton t’i kontrollojë.
Pas krejt kësaj, si mund të ketë mes nesh hapësirë?! / KultPlus.com