28 Dhjetor, 2019 - 11:50 pm
Poezi nga Adela Kale. Poezia është në mesin e dhjetë poezive më të mira në edicionin e tretë të konkursit ‘KultStrofa’, i cili organizohet çdo vit nga KultPlus.
Dikush do të të thotë një ditë patjetër
Yt atë, një mik dhe do të më kujtosh,
Të çmendur, dërrmuar e pamë “miken e vjetër”,
E trotuarit të më ndalësh prapë do kërkosh.
Dikush do të të thotë një ditë patjetër,
Se në kafenenë në qendër s’më pa si dikur,
E ti veten do pyesësh: ‘Ç’u bë “mikja e vjetër”?
Ku është ajo që më lutej si një ikonë në mur?’
Dikush do të të thotë patjetër një tjetër ditë,
Kur shiu i nëntorit të të lagë flokun e artë,
“Miken” se kemi parë, u bënë disa ditë,
Ku vajti ndjenja, malli i zjarrtë?
Nje natë kur hëna të jetë zhdukur,
Dhe shiu rrëmbyeshëm të varet litar,
Kur ti në shtrat mendueshëm të jesh strukur,
Ndoshta duke menduar për të shenjtin altar.
Një natë kur mes puthjesh të harrohesh,
E ndoshta harruar do jesh me një tjetër,
Për lumturinë tënde u lut dikush, do kujtohesh:
E vogla, lozonjarja, “mikja e vjetër”.