‘Mirë se erdhe  lamtumirë’

22 Mars, 2023 - 11:33 am

Poezi nga Rabindranath Tagore

Gjatë natës ka rënë shi deri në orën katër –
në ajrin e qullur
mëngjesi ka qëndruar, i ndalur
qielli i zbehtë duket sikur ka mbyllur sytë
si i dërrmuar nga pagjumësia.
Orët ecin këmbëlehta
mbi bregun e lagur të reve.
Tufa mendimesh, hije të paqarta,
më fluturojnë nëpër shpirt
reflekse ngjyrë-lehta të trishtimit tim.

Kam dëshirë që t’i kap në fluturim
e t’i mbaj
do t’i lidh me anë të shkrimit them
fjalët më shmangen e shkojnë.
Nuk janë as qarje as qeshje
nuk është as reflektim as urtësi
janë pamje të zbehura tashmë
këngë të zhveshura
nga fjalët
ngjyra të kuqerremta pa ngrohtësi
kujtime e harrime –
që kompozojnë së bashku si një figurë
ëndrrat që do të kalojnë
me kokën e kthyer nën vello
sedërthyer.

Thirre, më thotë zemra
thirre pra një herë
atë pasagjeren e anijes në largim
që të kthehet.
Në këtë muzg ngrije drejt saj
llampën e mbrëmjes
e festoja lamtumirën.
Thuaji, ‘ti je reale, ti je e ëmbël
është dhimbja jote që sot fshihet
në boshllëkun që ndan lulëzimin
në pranverë
dhe rënien e luleve.
Bileta jote me shkronja të zbukuruara është gjithkund
në blunë në të gjelbërtën në të artën
dhe në ngjyrën e lulëkuqes ‘.

Kështu zemra ime sot merr udhë
mbi valët e lëmuara të drurit palasha* në lulëzim
nën dritën e papritur duke shkaktuar

një shkarje
mes reve të thyera.

Përktheu YD/KultPlus.com

Të ngjajshme