27 Shtator, 2022 - 5:30 pm
Poezi nga Rozafa Shpuza
N’shpinë me tavan andrrash
m’ka mbetë veç jesteku i gjylpanave
birue si tabarja gri e martesës
që im atë s’e veshi ma atë dimën
prejse tejat e koduen me hieroglife imcake.
Kurrë s’i njehi gjylpanat,
veç si n’jerm zhguli nji
për me e përshkue me fill merimangash
sa me arrnue fatin e me davaritë boshllëkun e odës.
Koltrinat, njeshë mbas xhamash
njajtë me fustanet e nuseve mbas mesnates,
ma tjetërsojnë zanin e luleborave.
Vijëzimet e sedefta t’kaçamillit mbi qylym
m’cytin përkah portretet bardhezi.
Asht po ajo buzëqeshje
si ditën kur nusërova mes jaresh që firuen prajshëm…
M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave
stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia… / KultPlus.com