17 Shtator, 2022 - 2:05 pm
O moj Shqypni nga Pashko Vasa
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com