Momenti për të thënë: “mjaft”

28 Janar, 2023 - 9:00 pm

Irma Kurti

Nga ti kërkojnë të thuash veç: “Më fal”,
ç’të kushton, e ke bërë dhe tjetër herë,
të hedhësh një fyerje a mllef, një fjalë,
porsi një guriçkë në fund të një humnere.

Nuk i përfillin netët e tua plot ankth,
shpirtin që vuan, dhe ti as vetë s’e di,
fjalët e dikurshme nuk janë tretur aspak,
por të therin, të dhembin në pafundësi.

Harrojnë se vuajtja që të kanë shkaktuar
të bën shoqëri nëpër ditë e s’të braktis,
ndërsa ti nuk arrin të mbushesh me frymë
dhe më kot kërkon shpëtim, paqe e qetësi.

Ti përsëri i fal, nuk arrin ta kuptosh,
ka ardhur momenti të shqiptosh: “Mjaft!”,
të dashurohesh vetëm me muret e shtëpisë,
t’i braktisësh përgjithnjë njerëzit fals. /KultPlus.com

Të ngjajshme