28 Maj, 2024 - 2:00 pm
Entela Kasi
Ndërsa zgjas duart kah tjetër dritë,
Dhe sytë,
Dhe fjala,
Dhe ëndrra,
Dhe fryma,
Janë pemë jete në kopshtin ku bien ditët
Koha
Është tjetër bote që pret, tjetër.
Atje tej është një det dhe një tjetër
Ndërsa nuk bashkohen ujërat që i ndan kuptimi i së fshehtës
Jemi pika uji në fuqi drite,
Edhe nëse qiellit jemi re,
Kur biem tokës,
Shi,
A dëborë e bardhë,
Biem,
Në plis,
Në shkrepa të gurtë majash të ngrira
Në lugina e shtretër të përjetshëm,
Në liqene dhe dete
biem dhe në tokë të thatë
Mbi duna rëre ku devetë ulin kokën duke mbajtur gjithçka mbi shpinë,
Biem mbi veten, e bëhemi za i fëmijëve tanë,
Ai çasti kur të qash është të gëzosh bekimin
Dhe dashuria është frymë, është lëndë, është plotni e pasosun, jetë.
Ashtu siç ka qenë
Prej fillimi./ KultPlus.com