‘Mos ndiqni gjurmët e dashurisë së dëshmorëve, ato janë flutura që s’kapen dot’

7 Maj, 2022 - 10:00 am

Poezi nga Bahri Fazliu

Të gjallëve

Nëse dëshironi të dini për jetën e dëshmorëve,
mos kërkoni nëpër libra,
aty s’është jeta e tyre, është jehona e saj.

Nëse dëshironi të dini si jetuan dëshmorët,
mos shkoni në shtëpitë e tyre,
shikoni robrinë tuaj.

Nëse dëshironi të dini me sa zjarr dashuruan dëshmorët,
mos ndiqni gjurmët e dashurisë së tyre,
ato janë flutura që s’kapen dot.

Nëse dëshironi të dini këngën e dëshmorëve,
mos thërrisni këngëtarin,
do të pendoheni nga tingujt e zbrazët.

Nëse dëshironi të dini amanetin e dëshmorëve,
mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit,
secili prej nesh ka qenë prezent.

Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,
mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,
lulet do t’u vyshken në dorë.

Nëse…
Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët,
ecni në rrugën e tyre,
aty do të gjeni gjeninë e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme