15 Mars, 2018 - 8:08 pm
Poezi nga Yevgeny Yevtushenko
Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes ju zhduke.
Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.
Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.
Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.
Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.
Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.
Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.
Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.
Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?
Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.
Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.
Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.
Përktheu: Visar Zhiti