Motrat

13 Mars, 2019 - 3:00 pm

Monjola Nasi

Unë jam motra e tretë,
ajo që u martua larg.
Trekëndëshi është forma më rezistente në natyrë.
Forca përhapet njëlloj në çdo brinjë.
Dhe pastaj dihet se çfarë thonë përrallat.
Pa princa ndërluftues dhe pa njerka,
na mbeteshin fare pak zgjedhje.
Po netëve s’do na shihni në qiell 
me fluturime dhe plane dhe mallkime
(mos kujtoni se s’mundemi).
Tani jemi të treja me thinja.
Fëmijët tanë po rriten.
Trazojmë supën deri në mëngjes. 
Secila sjell me vete çfarë të mundet:
Herë mishin, herë gjakun, herë kripën,
me raste, vetëm duart.
Pastaj shpërndahemi pa gdhirë.
Përrallat kanë të drejtë që lajmërojnë.
Forca përhapet njëlloj në çdo brinjë./ KultPlus.com

Të ngjajshme