21 Dhjetor, 2021 - 12:00 pm
Arbër Selmani
Kuptohet,
Një ditë do të ecim të dy së bashku
Kur këmbët tua të mos jenë hekur.
Në mes të një autostrade, në pikun e të nxehtit
Do të pijmë ujin e një bjeshke
Autobusëve do t`u buzëqeshim si dy të marrë.
Në mes plantacionesh, ndoshta dorë për dore
Do të vallëzojmë mbi kokra rrushi
Me shputat tona që na butësohen mbi ajvar
Ti ende mbetesh në një karrocë,
Për botën, e gjymtuar
Për mua, për jetën time, një motër e munguar.
Do ta blejmë bashkë biletën për kinema
Nuk do të shkojmë, do të vazhdojmë ditën duke numëruar qenushet rrugëve
Si qenushet e lagjes që ta lëpijnë gojën çdo mesditë.
Kuptohet,
Një ditë do ta ngasësh ti veturën,
Kur duart tua të mos lëvizin kaq dridhshëm prej temperaturës.
Në mes të detit, të përcëlluar prej Zotit
Do të notojmë, ndoshta krah për krah
Trupin tënd do ta lëmë të cicërojë si zog mëngjesi.
Ti ende mbetesh në një karrocë,
Që peshon mbi mua dhimbje, padrejtësi, rëndesë,
Për mua që harxhohem, që s`pranoj, që kam shpresë.
Do të çlirohet trupi yt, e do të marrim dy biçikleta
Do t’i futemi shtegut më të gjelbër
Do t’ua shprehim drunjve e dheut dashurinë pa kushte.
Ti ende mbetesh në një karrocë,
Për librin e mrekullive, e harruar
Për një vëlla zemërthyer si unë, e munguar.
Kuptohet,
Një ditë do të bëjmë gjithçka që bën një vëlla e një motër,
Do të paguajmë për dekorimet që nuk na duhen
Do ta lëndojmë njëri tjetrin
Do t`i urrejmë dasmat
Qysh tash e dëgjoj ankesën tënde për pizhamat që t`i vodha
Do të ketë lot mungese
Do t’a pëlqejmë të njëjtin qytet
Do të ngushëllohemi për dashuritë që vdesin pa lindur
Do të pijmë një kafe mëngjesi buzë liqenit
Do të skijojmë bashkë, do të ngjitemi në maje mali.
Ti ende mbetesh në një karrocë
Në një objekt që të mban në jetë, që sheh para teje
Ta përplasë një shuplakë që unë kurrë nuk doja ti ta ndjeje.
Kuptohet,
Do ta njohësh edhe ti botën, një ditë, e di
Do ta njohësh Iranin, Japoninë, gëzimin, plotninë.
Do të ecësh pa mua, pa të mbajtur, pa të shtyrë nga prapa,
Këmbët tua do të bëjnë vetë hapa,
Pa inatet e mia, pa mërzitë e mia, pa kilogramët e mi të psikozës
Se unë peshoj më rëndë se ti, unë peshoj vetmi, unë peshoj një motër gri
E ti peshon shumë forcë e fuqi, në karrocën kaltër e zi./ KultPlus.com