28 Tetor, 2022 - 7:00 pm
Poezi nga Rozafa Shpuza
Muzgu vjeshtnor asht si mullini hollak i kafes,
që gjyshja e rrotullon me nji qetsi t’lume
mbasi e mbështet diku n’vorbullen e prehnit,
ku dremit mica kuqloshe
që duket sikur numron kokrrat e blume.
Muzgu vjeshtnor hapërdahet prajshëm
si dashnitë naive,
që s’dinë me kapërdie idhtinë e ndamjes
e shprazin shpirtin ndër rrëke shinash,
destinue me përmbytë udhëkryqet
me semaforë t’çoroditun.
Muzgu vjeshtnor varet si medaljon
n’qafë të fshesares
teksa rreket me palue gjethnajën
që i kujton pajen e qindisun me pejna t’ylbertë.
Kajherë,
muzgu vjeshtnor m’rrokë me krahë zogjsh shtegtarë
rreshtue n’atë V-në perfekte
që i përgjet dëshires teme të kahershme për arrati./ KultPlus.com