25 Maj, 2019 - 9:00 pm
Poetja Naime Beqiraj u laurua me “Çmimin e lirisë” për poezinë “Republika” në Takimet letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.
“Çmimet letrare nuk të bëjnë poete më t’mirë; janë vetëm dëshmi që krijimtaria vlerësohet, e sidomos kur mbajnë sinonim lirinë – gjakimit shekullor të pejanëve për liri, kur mbajnë Azem Shkrelin emër, kur ndahet nga tri poete dhe profesoresha universitare: Ilire Zajmi, Entela Kasi e Vjollca Dibra. Falemnderit vasha!”, shkruan Beqirja në faqen e saj në Facebook.
Në vazhdim mund ta lexoni poezinë fituese:
REPUBLIKA
Të buta supet e saj
Të buta kalorëse
Për të bartur pesha të rënda
Të reja vitet e saj
Të reja shtalb
Për ta kaluar rolin e urtakes
Edhe dashurinë e ka të brishtë
E brishtë si thes me pupla
Për t’i luajtur të gjithë
E fortë krenaria, e fortë
E fortë deri në mëkat
Mos ta lejoj Atin të drejtësoj
E të qeshurën e bukur
Aq sa hirësia e Solomonit
Nuk mund t’i thotë, jo
I qartë fërkemi i saj
Fluturim plot
Sa me e hup lojën, vetës gola
Dhimbshëm humbja, humbja e saj
Por jo e qeshura prej mushkërive
Me to i kapërcen thepisjet
Kampione ecja e saj
E para del sa s’ia kalon kush
T’i kthejë dhuratat në armiq
I akullt inati, i akullt
Pik’ acar sa hakmarrja
Për t’rënë n’kurthë me vetën
I butë shikimi, i butë
Sa s’mund t’i rezistosh
T’ia kthesh shpinën, jo besnikërinë
E këndshme e hedhura e saj
E para, e njëqindta, e mijëta
Për ta ushqyer gjarpërin me ambroz
Si erë e ka sundimin
Përditon ngopshëm mirë e bukur
E mandej i përmbys kupat e verës
E mrekullueshme hija
Mrekulli, dëshmi, ringjallje
Për t’i prirë të pabesët/KultPlus.com