9 Nëntor, 2019 - 4:05 pm
Poezi e shkruar nga Albana Muja. Poezia është në mesin e dhjetë poezive më të mira të konkursit ‘Poezi për Paqe’ organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.
Po ma vran shpirtin, si atë natë,
ku terri e kishte përtheku botën tem t’vogël!
…atë natë ku dritë nuk pash,
as në shtëpinë e plakut të
lagjes, që jetonte fillikat!
Zgjati nata e asaj nate një jetë,
rënkimet dhe çjerrjet e shkarravitjet e çikës,
nuk kam mi harru deri kur dheu t’mbjen mbi sy,
…e ti shihje i ftohtë,
akull, nga ana tjetër!
Pas torturës, dhimbjes së thikës që ja njoha
tehun
dhe shijen e gjakut të përzier me lot që ma
fale me dy duar!!!
…e kërkoje “paqen”, i këndoje paqes
me ironi!!!
Çika ma dha flakareshin e fundit,
Nanë, paqe po kërkon!!!
Jo, i thash!
Po nanë, paqe, po t’lutet me e fal!
Eh, rënkova.
Nanë, paqe po du, ti ma m’sove!!!
Kokëulur, e me bisht të synit e vidhja buzëqeshjen
e hienës!
Nanë, paqe du!
… e ligë, me gjysmëza ia ktheva,
k’tu jam, po t’ruaj ty…!