31 Tetor, 2024 - 9:47 am
Shkruan: Mire Prenaj
Në pellgun e panjohunisë.
vdekje, ti e vërteta ndër të vërtetat,
ishe e panjohura për mua.
Pranim i dhimbshëm me të njajta dhimbje porsi lindja.
Nanë,
Ti paske qenë e vërteta ndër të vërtetat, nuk e paskam ditë sa ishe gjallë, as nuk e paskam mendu ikjen tande të vërtete asnjëherë!
Tani e shoh se e paske zbukuru aq shumë dhomën aty ku rrinim bashk, e folnim fjalë zemre.
Ishe dielli qe m’paske ba dritë, dëgjimi i rrëfimeve të mija,
besnikja ime,
Atë ditë mbeta pa të tregue se shiu dje i zbukuroi gjethet e posalinduna, ndërsa sot dielli i thau ato pika vese, dhe me rreze jua dha hovin!
E bukura ndër të bukurat në sytë e mi, dritë që nuk paske përfundu kurrë sa ishe gjallë,
tani e njoha agun, qenka i errët e i akullt!
Nanë,
Rojsja e kujtimeve të mia, kur më thoshe jeta është e çmueshme, plot ngjyra, poashtu dhe vrazhdë,
thoje shiko larg se dielli lind çdo ditë dhe asnjana ditë nuk i përngjan tjetrës, ec si rrjedhë uji pa ta ndalë askush hovin.
Mendoj shpesh, sa bukur i shëndrroje vuajtjet e tua në gëzime se thoshe: Zoti ashtë dashuni!
Ti ishe duresë me buzëqeshje.
Nuk shoh ma si ty,
freskija e çmueshmja ndër ma të çmueshmet, ti nanë paske qenë, e mira sublime.
Paske qenë plagë, dhe shpresë e kujtimeve të mia të fëmijërisë./KultPlus.com