NANËS

8 Mars, 2018 - 2:55 pm

Poezi nga Manjola Brahaj.

Nanë!
Âmi ato duer të dangosuna prej lodhjes,
T’i puthi me tanë dashninë time prej bije,
Të ndjej lodhjen e tyne kur mue m’kanë mbajtë
Në terr e në dritë, –
-Liman dashnie i mbushun prej vitesh

Nanë!
Âma ata krye tash do vjet të filluem me u thíjë
Âma se e due ngat!
Me e pa, me e prekë, me e puthë
E me e dashtë, e me e dashtë, e me dashtë…
Ma këndo nji kangë nanë e vnom në gjumë
Due me pushue, e me pushue, e me pushue..
Në krahët e tu
Ma jep krahnorin të ngjeshem aty –
Strofkulla ime ma e nxehtë
Dashnia me të cilën harrrnohem
Kroni ku jam la e jam ngi ujë t’bekuem
Nuk më duhen krahë të tjerë
Jam Aguliçe e pranverës së sapoleme mbramë
Due me m’lidhë në djep edhe njiherë.
E burgueme qenies tande si e marrë
Jam e strukun
Sytë e tu i due – dritë parajsash që shpesh s’i shoh

Nanë!
Zotit dit’ e nat kam me ju lutë me të rujtë
Për dhé kam me ra e me t’i puthë gjujt

Nanë!
Më kap si dukur n’grykë
e prekmi flokët e mi t’pabindun
t’ngatërruem sot prej lotësh e malli blu
Kryet m’asht ba arë me lule e gurë
Në t’cilët f’tyra jote asht e skalitun me
nji daltë dashnie të naltsueme
Dhe rrin e kapërthyeme n’kupë t’qiellit prej lulesh që ia zanë frymën

Randë asht me qenë edhe grue edhe burrë
Edhe shkamb edhe dhé i hedhun zguerve të veshtrimit
Të nji mali të errët!

Nano!
Kanga jonë asht nji përqafim ernash
Të bardha, të njoma shumë të njoma
Ku mbytet cegëmi i fjalës së thanun me tepri
Andaj kam me ardhë
e me këndue, e me këndue, e me këndue..
Kangën tonë

Në altarin tand kam me rrnue sa t’kem frymë
Mbajem me veti, nuk due me u rritë
Vetëm prehni yt m’nxjerr prej hutimit t’lyem me brymë
Shpirti yt asht gjella që m’ngop e m’mban gjallë
Asht kanga e zjarmit – furrë

Nanë!
Për ty kam me i thirrë e me i lutë perënditë
Nuk kam me të t’u nda kurrë

MANJOLA BRAHAJ nga “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”

Të ngjajshme