‘Nantë jetë’, një nga poezitë finaliste në konkursin ‘Poezi për Paqe’

14 Nëntor, 2019 - 6:00 pm

Poezi e shkruar nga Burbuqe Latifi. Poezia është një nga poezitë finaliste në konkursin ‘Poezi për Paqe’, organizuar nga KultPlus dhe UNWomen.

Nantë jetë
Tetë herë jetu i kam,
Edhe nji m’ka mbetë,
me e vdekë.

Edhe nji herë,
me lëviz lirshëm me eterin përtej atmosferës,
me i mbushë hapsinat mes grimcave,
me udhëtu mes yjesh,
e amullinë e shpirtit
bashkë me frymën e fundit
n’vakum me e zbrazë.
Edhe ashtu.
si qenie rastësisht e ‘përsosun’
kurrë s’kam ditë me frymu mirë,
me shkëmby përsosshmërisht secilën grimcë ajri
me oreksin e fantaksur t’natyrës.

Edhe nji herë,
me perëndu bashkë me Diellin
n’ftyrën tande,
ku veç dritë hane ka ra.
Diku në mes përëndimit e agut
botnat me i ndeshë,
me u nda në nji,
me u bashku në dy,
e eklipsit hije me i ba.

Edhe nji herë t`vetme,
me vallëzu nën tingujt e nji muzike t`pa nota,
e me humb në pakthim,
deri sa nota e fundit e palujtun,
t`ketë pushu.

Edhe nji dolli të fundit,
me gotat e zbrazuna plot v(n)erë,
flutura n`maje t`gjuhës,
e barkun plot fjalë
të nji shujte t`pa shije.

Edhe nji natë me e rrnu,
Hajde…
t`flasim rreth formës së siluetës,
t`ksaj reje t`pa formë,
e t`zhytemi n`ujnat e paprekuna t`mendjes
deri sa ta prekim fundin.
N`dash, flasim për ngjyrën e preferume,
që për dreq as edhe nji përgjigjje bajate
s`mujta me i dhanë.

Se veç nantë jetë i vdeka,
për me e zgjedhë veç nji.

Edhe nji jetë,
që ka me zgjatë aq minuta
sa rreshta ka kjo poezi.

Të ngjajshme