18 Korrik, 2020 - 6:00 pm
Poezi nga Sali Bashota
Përnatë po vdiset me ëndrrat nën dry
Korbin e mështjellim rreth qafe pa sy
Lirikë e paqartë gërryen shkronjat mbi qetësinë e shprishur
Avull i trupit fërkon shqisat e trurit të prishur
Jeta përgjaket si zog i mbyllur në kafazin mbretror
A vdiset kështu shqiptarçe rrethuar me murin gjarpëror
Kur gjaku ngutet të mbushë pusin e rojës bishë
Me kokë në jastëk shtërngojmë të drejtën e jetës që grishë
Tuberkulozi e ha shërimin e vetë në rrugën pa fund
Përnatë vdiset ngapak me pamje të muruar askund
Qumështi i zi i nënës sa herë në prush vlohet
Bëhet rreze pa ngjyrë medikament i syrit që shërohet
Gaca shplohet nga hiri i dorëshkrimeve të varura në litar
Si thupra në ujë dridhet mendimi i zhveshur në acar
Gjuha mballqit emrat kur kthehen në ditën e Gjykimit
Përnatë po vdiset në lëkurën e regjur të robërimit
Shtegu hap dosjen me gojëtarinë e hargjuar në ekran
Ajo ish skulpturë e larë me ujin e reumatizmës pranë
Aty mbetet njeriu që lan e than lëkurën e gjarprit
Vetmia rrokulliset si libër i shenjtë i fatit
Mëshira rri në hijen e mendimeve të qelbura në ferr
Mbi natën Shqiptare kur klith si shqiponjë në qeli-terr
(1994)