9 Prill, 2019 - 4:14 pm
Poezi nga Sabit Rrustemi
Nuk isha i vetëm
Një hartë e tërë e Etnisë sonë
krahëfortë si Gjergji
zemër shkëmb si Mic Sokoli
prijës luftërash si Idriz Seferi
në hap me mua prinin
dhe lisat shekullorë
malet me dëborë
e ajo e mira e moçmja Orë
me të bukurën stinë
Për gjakun e shumë brezave
që kohtët s’e ngrinë
e shkelëm
e shkulëm me themel
atë copë betoni
që ardhacakët e ngulën me forcë
e i zgjuem Bjeshktë e Nemura
prej kushtrimit e gëzimit
Dhe mali me mal u bashkua
e fusha me fushë
e gjaku ynë
Ai gjak i cili s’u bë i bardhë as i zi
ai gjak që mbet Dri i Kuq
dhe i vetëm në trupin tonë
Dri i pandalshëm i lirisë
Pastaj
prej palëve të thella të shpirtit
përmes një frymëmarrje
të keqtin e krejt kohëve jashtë e nxora
e mushkëritë përngadal
me ajër të lirë malesh i mbusha
Dora e djathtë vetvetiu
në xhepin e majtë të uniformës shkoi
Prej andej
të zezën e jetës sonë nxorra
me një shkrepje e ndeza
gacë e bëra
tym e hi
Për shpirtin tënd të paqtë
e krejt jetë
nanë
Për ëndrrën tënde të parrëfyer
ruajtur nën gjuhë
babë
Për dashurinë tënde të papërmbajtur
e për atë fole shqiponjash
zemër
Dhe u shtriva
u shfryva
e si fëmijë yti në lot u shkreha
se kurrë më i lirë s’isha
as u ndjeva
e ime Kosovë
( 9 Prill 2019 )