28 Mars, 2022 - 8:45 pm
Poezi nga Odhise Grillo
Në fletoren ku ti shkruan
zë e ndihet një sëpatë…
Ai zë është i druvarit,
që rend pyllit nëpër natë.
Në fletoren ku ti shkruan
zë e cicërin një zog…
Ai zë është i bilbilit
që me lisin ishte shok.
Në fletoren ku ti shkruan
ndrit një rreze përmbi fletë…
Është rrezja diellore
që e mbante lisin në jetë.
Në fletoren ku ti shkruan
gurgullima uji nisin…
Ai zë është i burimit
ku ka shuar etjen lisi.
Në fletoren ku ti shkruan
pena nis cijat patjetër…
Është zëri i fabrikës
që e bëri lisin letër.
Iku lisi që nga pylli
dhe fletore na u bë…
Prandaj ndihet një zë sëpate,
ndaj këndon një zog në të,
ndaj një rreze nis shkëlqen
edhe zbardh si dëborë,
prandaj pena nis këndon
për druvarë e punëtorë.
Ndaj burimi gurgullon
rrëzëllejne pika djerse…
Në fletoren ku ti shkruan
ja pse ndihen zëra jete! / KultPlus.com