5 Qershor, 2018 - 11:30 am
Poezi nga Jazra Khaleed, përktheu nga origjinali Elena Zhako.
Në këtë vend s’ka vend për manifeste,
këtu therrim jetën mbi llamarinë,
këtu kthejmë veprat në fjalë,
këtu prodhojmë fjalët me metodën Fischer – Tropsch:
nëse i hollon, zor se mbush me to një shishe benzinë.
Në këtë vend s’ka vend për manifeste;
njerëzit kanë shteruar,
duhet t’i shtrydhësh,
që të mbushësh një trastë me gurë.
Manifesti është një send,
porsi tavolina ose krevati,
ka përmasa konkrete;
manifesti nuk është deklaratë,
ka gjatësi dhe gjerësi,
ngulet në mur me vida Allen Μ12×30.
Manifesti nuk ofron njohuri,
nuk është aktivitet politik në një sallë të okupuar
apo grafiti në ndonjë shkollë,
ka vetëm vlerë funksionale.
E kemi shumë të qartë se çfarë është manifesti,
por nuk arrijmë asnjëherë ta përtypim e ta tresim.
Në këtë vend, rrugët janë llogore,
sheshet sipërfaqe çarëse,
në thikën e bukës shkëlqen zifti.
Këtu, nuk mbin e lulëzon asgjë,
edhe pse e mbillnim dhe e plehëronim
çimenton çdo vjeshtë.
Është fati ynë i trashëguar,
rëniet e trupave tanë janë të përditshme,
dhe nuk ka ngelur më asgjë nga gjaku ynë,
që të digjet, që të vlejë.
Në këtë vend s’ka vend për manifeste;
Filozofët punojnë të gjithë në shtet,
poetët janë mikroborgjezë,
revolucionarët presin shpërblimin efapaks.
Këtu, ata që kanë fishekë i ruajnë për vete,
ata që veshin këpucë me vrima,
i bien çdo mëngjes fatit me shkelma,
ata që huajnë folje,
kthejnë pas vetëm kohët.
Këtu njerëzit fshihen brenda vetes,
periudha e druprerjes zgjat me vite.
Ky vend nuk na nxë të shtrirë,
Ndaj vdesim gjithmonë në këmbë.
Në këtë vend s’ka vend për manifeste./KultPlus.com