12 Shkurt, 2024 - 11:40 pm
Poezi nga Niels Hav
Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.
Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.
Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!
Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta
Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta
Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.
Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.
Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.
Përktheu: Kujtim Morina / KultPlus.com