Në qofsh grua!

2 Shtator, 2018 - 10:30 pm

Poezi nga Donika Gashi.

Në qofsh grua,
Fol!
Fol me gjithë shpirt e mendje
Nuk ka kush nga ata të llojit tand
i lindun me të drejtën,
Fjalën të t’a mbajë peng
të thellësisë së egos.

Në qofsh grua,
Ti ke zemër të madhe si hana dritë-plotë
Mendje të kthjellët rrjedhë-freskët
Det-qetë zemra yte,
Nganjiherë uragan i tmerrshëm.

Ti i falë zemrën
Bukës së pjekun, aromës së kafesë
Tek përhapet vrullshëm damarëve të folesë.
Përqafimi i butë i mëngjesit
Lodhshëm të zdirgjet trupit ngadalë
mbramjes tek bie e rraskapitun.

Bukur të rri çdo gjë,
E bame me duart plot dashni!
Hijeshia jote dhe drunit e cungut
I jep nji gjethe lumtuni.
Në qofsh grua,
Dinjiteti asht buzëqeshja jote e përhershme.
Dhimta jote mal i pakalueshëm,
Fshehun në hiret tua
Mbretni e panënshtrueshme.

Ti që përditë fuqishëm grimosë
vështirësitë e të qenit,
Veshun me mrekullinë e ylberit,
Yllëzon sytë e errët e nganjiherë
dashunon dhe të padenjin.

Grua thuaje me za,
Të vërtetën tande!
Fjala jote nuk asht peng i egos së tjetrit./ KultPlus.com

Të ngjajshme