Nën thundrën e kohës

1 Tetor, 2024 - 3:02 pm

Vlora Konushevci

Dikur isha bota jote.
Atëherë kur mrekulloheshe
pas buburrecave e karcyllave
por unë s’kisha kohë
me qenë botë.
“Ecë ma shpejtë”…
Duhej me mësu, me punu, me gjallnu
me ja ble ilaqet babës
me çu n’terapi nanën.


Ti u rrite tinëzisht,
si lule jasemini që çel natën,
me rrajë të palëkunduna n’truallin e kohës tande.
Shpatullat t’u zgjanuen si fushë luledielli,
kambët si rremba që përqafojnë dheun,
e kalove pragun e fëminisë pa zhurmë,
derisa akrepat e jetës tem nguteshin.


“Ec ma kadale”… t’them tash,
por ti fluturon n’kërkim të qiellit tand.
“S’kam kohë, kam punë,
po m’presin shokët, kam me mësu.”


Bota jote përnjiherë u ba e madhe,
aq sa m’çoi mue përpjetë
e më lëshoi poshtë n’qoshen e shtëpisë
ku pres me ndëgju tingullin ma t’ambël,
kur futet çelësi në vrimë dhe hapet dera,
e ti krejt shpërfillshëm m’buzëqesh kur hyn brenda!
Unë t’vështroj prej qoshes
dhe e kuptoj
që asht radha jote me qenë botë
dhe lutem
që asnji rrebesh mos me ta ndal hovin
që asnji tufan mos me ta pre udhën
e dashnija me u rritë çdo ditë n’ty!/ KultPlus.com

Të ngjajshme